Policia sekuestron 11 armë zjarri dhe shqipton mijëra gjoba brenda një jave

17.11.2025

Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë vijuar aktivitetet e tyre në lokacione të ndryshme gjatë javës së kaluar, duke zbatuar urdhëresa të gjykatës dhe duke forcuar sigurinë në komunitet.

Gjatë periudhës së raportuar, Policia ka realizuar gjithsej 175 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 82 kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër për kundërvajtje, seanca, verifikime dhe procedura të tjera. Personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata që janë gjobitur janë liruar pas kryerjes së obligimeve të përcaktuara në urdhër.

Aktivitetet policore kanë përfshirë edhe kontroll të armëve, ku janë sekuestruar 11 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm. Përveç kësaj, në të njëjtën periudhë janë shqiptuar 4,592 masa administrative për shkelje të ndryshme, përfshirë 407 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe radar mobil.

Policia e Kosovës njofton se aktivitetet do të vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim rritjen e sigurisë dhe zbatimin e ligjit në të gjitha nivelet.