Policia përdor vetura inteligjente për sigurinë rrugore: Identifikohen mbi 30 vetura të paregjistruara
Në kuadër të përpjekjeve për rritjen e sigurisë në trafik, Policia e Kosovës, konkretisht Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit në Rajonin e Prishtinës, ka nisur zbatimin e planeve operative me qëllim forcimin e sigurisë rrugore.
Një nga mjetet inovative që po përdoret për këtë qëllim është vetura “inteligjente,” e pajisur me teknologji të avancuar për identifikimin automatik të veturave të paregjistruara dhe shkelësve të tjerë të rregullave të trafikut.
Vetura inteligjente mundëson identifikimin e menjëhershëm të automjeteve të paregjistruara, edhe gjatë lëvizjes. Në vetëm tri ditët e para të operimit, kjo teknologji ka identifikuar mbi 30 vetura që qarkullonin në kundërshtim me rregullat ligjore, duke rrezikuar sigurinë në trafik.
Për të gjitha rastet e identifikuara, Policia ka ndërmarrë masa të menjëhershme, duke shqiptuar fletëparaqitje sipas legjislacionit në fuqi. Në të njëjtën kohë, veturat e paregjistruara janë përjashtuar nga trafiku, ndërsa targat e tyre janë konfiskuar përkohësisht.
Kjo iniciativë është pjesë e një angazhimi të gjerë të Policisë së Kosovës për të ulur numrin e aksidenteve dhe për të siguruar një trafik më të sigurt për të gjithë qytetarët. Operacionet e tilla jo vetëm që ndihmojnë në reduktimin e rrezikut për aksidente, por gjithashtu nxisin respektimin e ligjit dhe përgjegjësinë nga ana e shoferëve.