Policia nis fushatën – “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet!”
Policia e Kosovës ka lansuar një fushatë të re vetëdijësuese në kuadër të nismës globale “16 ditë aktivizmi kundër dhunës me bazë gjinore”, që zhvillohet nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor 2025.
Përmes kësaj fushate, Policia synon të fuqizojë qytetarët, të inkurajojë raportimin dhe të thellojë bashkëpunimin me komunitetin në luftën kundër dhunës në familje.

Nën moton “Jo dhunës në familje!” dhe “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet!”, Divizioni i Policimit në Bashkësi dhe Drejtoria për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje kanë përgatitur fletushka dhe postera informues që do të shpërndahen në të gjithë territorin e Kosovës.

Ky material promovues është pjesë e projektit të ri “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet!”, i cili synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës dhe mbështetjen e viktimave.

Policia e Kosovës thekson se fushata ka për qëllim të nxisë qytetarët të mos heshtin përballë dhunës, duke e kuptuar se çdo zë ka rëndësi dhe se çdo raportim mund të shpëtojë jetë. Institucioni apelon që rastet e dhunës të mos mbeten brenda mureve të shtëpisë, por të raportohen në kohë për të parandaluar eskalimin dhe për të mundësuar ndërhyrjen e organeve të rendit.

Qytetarët mund të raportojnë dhunën në familje përmes numrit 192, linjës së dedikuar 0800 19999, ose duke përdorur aplikacionin “Lajmëro Policinë”.
Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ripërsërit zotimin e saj:
“Policia e Kosovës – Për një shoqëri pa dhunë dhe të sigurt për të gjithë.”