Policia ndërhyn në një dasmë në Shtime pas të shtënave me armë zjarri, apelon për festime pa armë

05.08.2025

Një incident me të shtëna armësh ka ndodhur të martën rreth orës 09:00 të mëngjesit në fshatin Petrovë të komunës së Shtimes, gjatë një ceremonie dasmore.

Stacioni Policor në Shtime ka pranuar informacionin dhe njësitet policore kanë reaguar menjëherë, duke dalë në vendin e ngjarjes.

Policia ka identifikuar personin e dyshuar, i cili ka dorëzuar vullnetarisht armën, e cila më pas është konfiskuar nga ana e Policisë. Sipas njoftimit zyrtar, në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, është intervistuar i dyshuari A.B., 23 vjeç. Po ashtu, është intervistuar edhe A.M., 45 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Rasti është referuar tek Prokurori i Shtetit, i cili ka vendosur që të dyshuarit të procedohen në gjendje të lirë.

Policia Rajonale e Ferizajt u bën thirrje qytetarëve që të shmangin përdorimin e armëve në ahengje dhe festa, duke theksuar rrezikun serioz që paraqet kjo sjellje për jetën dhe sigurinë e të pranishmëve.

“Gëzimet le të festohen me zemër, jo me armë! Çdo e shtënë me armë zjarri mund të sjellë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme”, përfundon njoftimi i Policisë.