Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e dy grave- dyshohen për vjedhje
Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e dy grave të dyshuara për vjedhje dhe ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e tyre.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka ndërmarrë këtë veprim me qëllim që të sigurojë informacione që mund të çojnë në arrestimin e të dyshuarave.
Në komunikatën zyrtare thuhet:
“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve, lëshon këtë kërkesë për bashkëpunim me qytetarë dhe mediat. Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan në vazhdimësi është duke ndërmarrë të gjitha veprimet operativo-hetimore me qëllim të identifikimit, lokalizimit dhe arrestimit e personave të dyshuar.”
Policia iu bën thirrje qytetarëve që të ofrojnë çdo informacion të mundshëm:
“Kushdo që ka informacion për identitetin dhe vendndodhjen e personave në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’, E-mail: info@kosovopolice.com dhe numrat kujdestarë: 192; 03850807001. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë.”
Policia e Kosovës apelon për bashkëpunim dhe garanton se çdo informacion do të trajtohet me seriozitet dhe konfidencialitet, me qëllim që rasti të zbardhet sa më shpejt.