Policia kap traktor të ngarkuar me cigare kontrabandë
Policia e Kosovës, përmes njësive të saj të Task Forcës – Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka intensifikuar masat për parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve të paligjshme dhe kontrabandës në brezin kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë një operacioni të zhvilluar më 04.12.2024, pas pranimit të informatave nga burimet zyrtare të Policisë së Kosovës, në fshatin Korminjan – Ranilluk, është ndaluar një traktor me rimorkio të improvizuar, i cili drejtohej nga një shtetas serb.
Mallrat e Sekuestruara
Gjatë kontrollit të rimorkios, u konstatua se ajo ishte e ngarkuar me mallra të kontrabanduara si në vijim:
- Duhan i përpunuar: 250 kg në paketime të ndryshme (Marlboro, Winston, Camel, Lucky Strike).
- Cigare të ndryshme:
- Trokadero slim – 50 boksa,
- King – 50 boksa,
- Korset i kuq – 50 boksa,
- Korset i kaltërt – 50 boksa,
- Trokadero – 50 boksa.
Vlera e mallrave të sekuestruara, sipas vlerësimeve të tregut, është rreth 8,500 €, ndërsa shmangiet nga tatimi dhe akciza kapin shifrën e 13,000 €.
Veprimet e Ndërmarra
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit. Mallrat dhe automjeti i sekuestruar janë transferuar në terminalin doganor për procedim të mëtejmë nga njësitë përkatëse policore.
Ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për të luftuar paligjshmërinë dhe kontrabandën në zonat kufitare, duke garantuar siguri dhe respektim të ligjit.