Policia e Suharekës bën thirrje për kujdes gjatë festave
Me rastin e festave të fundvitit, Policia e Stacionit Policor në Suharekë ka bërë një apel të veçantë për qytetarët, duke i ftuar të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në rrugë dhe gjatë aktiviteteve festive.
Foto: Komandant i stacionit Policor në Suharekë, Afrim Sylaj
Në një njoftim të publikuar sot, komandanti i stacionit, kapiteni Afrim Sylaj, ka theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut, duke u bërë thirrje shoferëve të vozitin me kujdes, të mos përdorin alkool dhe të respektojnë sinjalizimet rrugore.
“Me ardhjen e festave, rrugët janë më të ngarkuara. Ju lutemi të jeni të kujdesshëm dhe të mos lejoni që një çast neglizhence të shkaktojë incidente të pakëndshme”, ka thënë kapiteni Sylaj.
Gjithashtu, policia ka bërë thirrje për kujdes gjatë përdorimit të fishekzjarreve dhe mjeteve të tjera piroteknike, duke theksuar rreziqet që këto mjete paraqesin për shëndetin dhe sigurinë e njerëzve.
“Ju lutemi të mos përdorni armë apo mjete të rrezikshme plasëse, pasi këto vepra janë penale dhe dënohen me ligj”, thuhet në njoftim.
Policia e Suharekës ka theksuar se do të jetë e pranishme në terren për të garantuar sigurinë e qytetarëve gjatë festave dhe se do të veprojë në përputhje me ligjin ndaj çdo shkeljeje.
“Bashkarisht, le t’i bëjmë këto festa më të bukura dhe të sigurta për të gjithë”, ka përfunduar kapiteni Sylaj.