Policia e Kosovës forcon kapacitetet e komunikimit, pranon donacion nga Ambasada Britanike
Sot, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, zëvendësdrejtori i përgjithshëm, kolonel Fehmi Hoti, priti në një takim zyrtar përfaqësues të Ambasadës Britanike, përfshirë znj. Margaret Belof, si dhe udhëheqësen e ekipit të ekspertëve të GCSI-së, znj. Helen Legay, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre.
Ky takim shënoi një moment të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis Policisë së Kosovës dhe Qeverisë Britanike. Në fokus të takimit ishte projekti i komunikimit strategjik, një fushë thelbësore për ndërtimin e besimit publik dhe transparencës.
Si pjesë e këtij projekti, Drejtoria për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Policisë së Kosovës u pajis me një donacion të konsiderueshëm pajisjesh elektronike, me vlerë rreth 10,000 euro. Ky donacion do të shërbejë për të modernizuar infrastrukturën e komunikimit dhe për të përmirësuar efikasitetin e shpërndarjes së informacionit.
Gjatë ceremonisë, u promovua gjithashtu Manuali i ri i Komunikimit, një udhëzues i rëndësishëm që synon të avancojë praktikat e komunikimit me publikun. Ky manual do të shërbejë si një mjet referimi për të gjithë punonjësit e policisë, duke siguruar që komunikimi të jetë i qartë, i saktë dhe i përgjegjshëm.
Zëvendësdrejtori Hoti shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj Qeverisë dhe Ambasadës Britanike për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës, veçanërisht në fushën e komunikimit. Ai theksoi se komunikimi efektiv është thelbësor për të siguruar sigurinë dhe besimin publik, veçanërisht në një mjedis të mbushur me informacione.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë të forcojë strategjitë e komunikimit dhe të mësojë nga praktikat ndërkombëtare për të siguruar udhëheqje me profesionalizëm, integritet dhe transparencë,” deklaroi zëvendësdrejtori Hoti.