Policia e Kosovës arreston gjashtë persona për kontrabandë dhe kalim ilegal të kufirit
Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Kontrabandim me mallra” dhe “Kalim ilegal të kufirit”.
Rasti ka ndodhur më 11 dhjetor 2025, rreth orës 18:30, në fshatin Rujishte, në një rrugë malore. Njësitë policore kanë ndaluar katër automjete me targa të Serbisë, të cilat dyshohet se transportonin mallra të kontrabanduar pa dokumentacion të origjinës.
Gjatë kontrollit, në automjete janë gjetur mallra të ndryshme, përfshirë: tekstil, produkte ushqimore dhe produkte mishi. Të gjashtë personat janë dërguar së bashku me automjetet në Stacionin Policor Mitrovicë Veri.

Lidhur me rastin, është njoftuar edhe Dogana e Kosovës, e cila do të vazhdojë me procedurat e nevojshme doganore. Gjithashtu, prokurori kujdestar i shtetit ka iniciuar rastin për veprat penale “Kontrabandimi me mallra” dhe “Kalimi ilegal i kufirit”.
Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet dhe procedurat ligjore për mallrat do të vazhdojnë nën mbikëqyrjen e autoriteteve përkatëse.