Policia arreston një 24 vjeçare dyshohet se keqpërdori kartela bankare
Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi të dyshuar në lidhje me disa raste të keqpërdorimit të kartelave bankare në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, Njësiti i Hetimeve të Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit ka zhvilluar me sukses një operacion hetimor, i cili ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarës A.G., 24 vjeçe.
Ajo dyshohet për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me “lëshimin e çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimin e kartelave të bankës apo të kreditit”.
Hetimet janë zhvilluar në koordinim të ngushtë me prokurorin kompetent, dhe ndaj të dyshuarës është iniciuar procedurë penale.
Policia e Kosovës thekson përkushtimin e saj të vazhdueshëm në luftimin e veprimtarive kriminale dhe sjelljen e personave të dyshuar para drejtësisë. Njëkohësisht, autoritetet apelojnë tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm në ruajtjen e të dhënave personale dhe bankare, për të shmangur abuzime të mundshme.