Plagosja dhe rrëmbimi i shtetasit kosovar nga xhandarmëria serbe, Kosova e akuzon Serbinë
Një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet M.V., i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, kanë bërë të ditur autoritetet e sigurisë.
Foto: Ilustrim
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 1 nëntor, në një zonë të njohur si “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit, përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, menjëherë pas marrjes së informacionit është njoftuar dhe përfshirë në koordinim KFOR-i, i cili është përgjegjës për sigurinë në brezin kufitar.
“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka ndërmarrë veprimet e saj hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve është siguruar informacion se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën, të cilën më pas e kishin dërguar në territorin e Serbisë, në drejtim të qytetit të Nishit”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Hetimet janë nisur në koordinim me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës – Departamentin për Krime të Rënda dhe me institucionet e tjera relevante të sigurisë.
Reagimet zyrtare: “Shkelje e rëndë e kufirit dhe akt armiqësor”
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj rastit, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të kufijve shtetërorë dhe vazhdim të politikave të frikësimit nga regjimi i Beogradit.
“Ky është një akt i përsëritur dhe i pandëshkuar. Dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale hynë në territorin tonë dhe rrëmbyen tre pjesëtarë të policisë sonë. Pas kësaj ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. Serbia po vazhdon politikën e saj të terrorit dhe dhunës ndaj qytetarëve që nuk pajtohen me regjimin e Vuçiqit”, shkroi Sveçla në Facebook.
Ai shtoi se është “koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me masa ndëshkuese ndaj Serbisë”, në mënyrë që, sipas tij, akte të tilla armiqësore të mos përsëriten.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar incidentin, duke e quajtur dëshmi të qasjes hegjemoniste të Serbisë.
“Çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare. Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme që rrezikojnë paqen e stabilitetin në rajon. Ndërkaq, politika e Kosovës duhet të flasë me një zë për mbrojtjen e vendit tonë”, ka shkruar Osmani.
KFOR: Situata përgjatë kufirit mbetet e qetë
Në një reagim për media, Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR, ka bërë të ditur se është në dijeni për rastin dhe se po e monitoron nga afër situatën përgjatë vijës kufitare.
“Policia e Kosovës ka nisur hetimet dhe vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me disa entitete, përfshirë KFOR-in. Situata e sigurisë përgjatë vijës kufitare administrative mbetet e qetë,” thuhet në reagim.
Dëshmia e ish-zëvendësministrit Radomiroviq: “E rrëmbeu grupi i Radoiçiqit”
Ndërkohë, ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi” se ka qenë dëshmitar i rrëmbimit të Milan Vukashinoviqit, duke akuzuar për këtë grupin e Milan Radoiçiqit.
Sipas tij, Vukashinoviq kishte shkuar në fshatin Jelakce për të blerë mjaltë nga një person të punësuar në Ushtrinë e Serbisë, por në momentin e takimit, persona të armatosur dhe të maskuar dolën nga pylli, qëlluan ndaj tij dhe më pas e transportuan në territorin serb.
Radomiroviq pretendon se viktima është dërguar në Spitalin e Nishit, ku i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërsa autoritetet serbe nuk kanë lejuar publikimin e gjendjes së tij shëndetësore.
“Milani është plagosur rëndë, i është hequr një veshkë dhe ka plumb në shtyllën kurrizore. Ai arriti të telefonojë nënën e tij nga autoambulanca, duke i treguar se ishte sulmuar brenda territorit të Kosovës”, tha Radomiroviq.
Sipas tij, Vukashinoviq është punonjës i një shoqërie sigurimesh në pikën kufitare të Jarinjës dhe nuk ka hyrë në territorin e Serbisë që nga viti 2022.
Kjo nuk është hera e parë që xhandarmëria serbe akuzohet për hyrje ilegale në territorin e Kosovës.
Në qershor të vitit 2023, tre zyrtarë policorë të Kosovës u rrëmbyen në zonën Tresave/Bare në Leposaviq dhe më pas u mbajtën për disa ditë në Serbi, para se të liroheshin.
Hetimet për rastin e fundit janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet e Kosovës thonë se do të njoftojnë publikun me detaje të reja sapo të sigurohen informacione zyrtare nga institucionet e sigurisë.