Pasi i ndaloi KFOR-i, policia arreston katër persona – u gjetën armë gjahu në tri vetura
Një aksion i përbashkët mes patrullës së KFOR-it dhe Policisë së Kosovës ka rezultuar me arrestimin e katër personave në fshatin Sfirca të komunës së Kamenicës.
Ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 10:30, kur patrulla e KFOR-it ka ndaluar tri vetura të dyshuara dhe pas verifikimeve fillestare ka njoftuar Policinë e Kosovës për veprimet e mëtejshme.
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se njësitë policore kanë kryer kontroll të detajuar të automjeteve, gjatë së cilës janë gjetur katër armë gjahu, për të cilat personat e ndaluar nuk posedonin dokumentacion të vlefshëm.
Si rezultat, policia ka arrestuar katër të dyshuarit që ishin në vetura: V. A., D. I., M. D. dhe M. S. Armët e gjetura janë sekuestruar si prova materiale, ndërsa të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit kompetent.
Rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës për të zbardhur qëllimin dhe rrethanat e mbajtjes së armëve pa leje në automjete.