Paraburgim ndaj katër të dyshuarve për substanca narkotike dhe armëmbajtje pa leje
Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve M.B., A.L., A.B. dhe SH.B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, si dhe mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Foto: Ilustrim
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda, Fitore Krivanjeva Daci, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura.
Sipas vendimit të gjykatës, më 12 dhjetor 2025, rreth orës 17:15, të pandehurit pa autorizim kanë poseduar substanca narkotike me qëllim shitje ose ofrimi për shitje. Dyshohet se të pandehurit M.B. dhe A.L. kanë sjellë në Republikën e Kosovës substancë narkotike të llojit kokainë me peshë rreth 4.620 gramë. Më pas, i pandehuri L.Z. dyshohet se ka kontaktuar të pandehurit A.B. dhe SH.B., duke i udhëzuar që ta dërgojnë këtë substancë në parkingun e “B.M” në V., duke u dhënë edhe detaje për veturën e personit që do ta blinte narkotikën.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit A.B., Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar pesë role folie plastike të tejdukshme, katër palë dorëza pune, dorëza llastiku ngjyrë të zezë, gërshërë dhe një lug metalik kuzhine, të cilat dyshohet se janë përdorur për mbështjelljen e substancës narkotike.
Po ashtu, ndaj të pandehurit A.B. ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Sipas gjykatës, ai dyshohet se nga një datë e papërcaktuar deri më 12 dhjetor 2025, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin, ka mbajtur në posedim një revole të markës “Glock”, prodhim austriak, kalibër 9 mm, me një karikator me fishekë, e cila është gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit policor.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit si të bazuar dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve në kohëzgjatje prej një (1) muaji, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK).
Palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e pezullon ekzekutimin e tij.