Një vit me Ligjin e ri për Trafikun Rrugor, bie numri i aksidenteve
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2024 është regjistruar një rënie e numrit të aksidenteve rrugore, përfshirë ato me pasoja fatale, me lëndime dhe dëme materiale, krahasuar me vitin e kaluar.
Kjo ka ardhur si rezultat i masave të shtuara të kontrollit dhe ndëshkimeve ndaj kundërvajtësve.
Rritje e gjobave të shqiptuara pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri
Në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të ligjit për rregullat e trafikut rrugor, Policia e Kosovës raporton një rritje të numrit të gjobave të shqiptuara. Megjithatë, eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, vlerëson se ky ligj nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e numrit të aksidenteve.
“Ne nuk kemi pasur problem me shqiptimin e gjobave dhe as me çmimin e tyre, por me vetëdijësimin e qytetarëve që të mos shkelin rendin dhe ligjin. Ky është një problem që Konventa e Vjenës e ka trajtuar ndryshe, duke aftësuar qytetarët që nga niveli parashkollor deri në nivelin parauniversitar, si dhe duke shtrënguar masat për pajisjen me patentë shofer,” deklaroi Ahmeti.
Gjobat do të dërgohen direkt në adresën e pronarëve të automjeteve
Policia e Kosovës ka njoftuar se nga data 3 prill, gjobat për kundërvajtjet e identifikuara përmes kamerave dhe radarëve do të dërgohen drejtpërdrejt në adresën e pronarëve të automjeteve.
Pavarësisht sfidave në trafikun rrugor, autoritetet theksojnë se përmes masave ndëshkuese kanë arritur të reduktojnë aksidentet në përgjithësi, duke rritur përgjegjësinë e drejtuesve të automjeteve në respektimin e ligjit.