Një 32-vjeçar në Gjakovë plagoset me tre plumba në të dy këmbët, të dyshuarit në arrati
Një incident i rëndë me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e së dielës në fshatin Pjetrashan të Gjakovës, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave.
Ngjarja ka ndodhur më 21 dhjetor 2025, rreth orës 19:20, në rrugën “Mark Palusha”, në afërsi të restorantit “Kurora”. Sipas informatave të para, dyshohet se persona ende të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës J.N., 32-vjeçar.
Si pasojë e të shtënave, viktima ka pësuar tri plagë në të dy këmbët dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ku ka marrë trajtim mjekësor. Burime nga spitali bëjnë të ditur se gjendja e tij është stabile dhe se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Menjëherë pas incidentit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese të Policisë së Kosovës, hetuesit rajonalë, njësitë e forenzikës, si dhe prokurori kujdestar për krime të rënda. Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.
Të dyshuarit për këtë ngjarje janë ende të paidentifikuar dhe ndodhen në arrati, ndërsa policia dhe organet e drejtësisë po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë./Sinjali/