Një 25-vjeçare nga Kosova gjendet e vdekur në Tetovë, dyshohet për vrasje

06.11.2025

Është gjetur pa shenja jete trupi i një 25-vjeçareje nga Kosova, e cila dyshohet të ketë qenë studente në Tetovë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:00, në afërsi të tregut të gjelbër në Tetovë, ku kalimtarë të rastit kanë zbuluar trupin e pajetë dhe kanë njoftuar menjëherë autoritetet.

Sipas raportimeve të para nga AlsatMk, dyshimet fillestare janë për vrasje, megjithatë hetuesit nuk përjashtojnë as mundësinë e skenarëve të tjerë.

Në vendngjarje ndodhen forcat policore dhe Prokurori Publik, të cilët po kryejnë ekzaminimet e para dhe po mbledhin prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

Identiteti i viktimës ende nuk është bërë publik, ndërsa autoritetet pritet të dalin me më shumë detaje sapo të përfundojnë hetimet fillestare.

Ngjarja ka tronditur qytetin e Tetovës dhe komunitetin studentor, ndërsa pritet që në orët në vijim të publikohen informacione shtesë rreth motivit dhe rrethanave të vdekjes së 25-vjeçares.

Rastin e ka konfirmuar edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, e cila përmes një postimi në Facebook, tha se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është njoftuar para pak orësh nga Policia Rajonale e Tetovës se sot, rreth orës 18:00, në një lagje të këtij qyteti është gjetur pa shenja jete një shtetase e Republikës së Kosovës. Ambasada ka vendosur menjëherë kontakt me autoritetet relevante policore dhe po e ndjek nga afër zhvillimin e rastit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.