Nga nesër, Policia e Kosovës nis patrullimet e përbashkëta në Shqipëri për sezonin turistik

30.06.2025

Në kuadër të sezonit veror dhe fluksit të shtuar të shtetasve dhe mjeteve nga Kosova drejt Shqipërisë, është nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Memorandumi u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, si një dëshmi e vazhdimësisë së bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve.

Sipas marrëveshjes, shërbimet e përbashkëta të policimit rrugor do të fokusohen në:

  • Parandalimin e shkeljeve dhe aksidenteve rrugore;
  • Menaxhimin e trafikut në akset kryesore që lidhin Kosovën me Shqipërinë;
  • Shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në fushën e sigurisë rrugore.

Drejtori Proda e vlerësoi këtë bashkëpunim si një hap konkret për rritjen e sigurisë, duke theksuar se prania e efektivëve nga Kosova është një ndihmë e çmuar dhe simbol i harmonisë ndërmjet dy policive. Ai tha gjithashtu se bashkëpunimi nuk kufizohet vetëm në fushën e trafikut, por shtrihet edhe në luftën kundër paligjshmërisë dhe krimit të organizuar.

Nga ana tjetër, Kolonel Hoxha u shpreh se pjesëmarrja e Policisë së Kosovës në këtë angazhim është një nder dhe përgjegjësi, dhe se efektivët kosovarë do të angazhohen maksimalisht për përmbushjen e objektivave të këtij memorandumi, në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së tyre.

Shërbimet e përbashkëta do të fillojnë zbatimin nga data 1 korrik 2025.