Ndotën rrugën me baltë, gjobitet kompania dhe shoferi me 1 mijë e 100 euro
Policia e Kosovës njofton se ka dënuar me 1 mijë e 100 euro një person për kundërvajtje në trafik.
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, po vazhdon me zbatimin e planeve operative për kontrollin e shtuar në trafikun rrugor
Më 18.10.2025, rreth orës 09:00, zyrtarët policorë gjatë patrullimit në rrugën “Wesley Clark” në Gjakovë, kanë vërejtur baltë në rrugë, e cila krijonte vështirësi dhe rrezik për pjesëmarrësit në trafik.
Pas veprimeve hetimore është identifikuar kundërvajtësi dhe ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 100 euro, sipas Ligjit nr. 08/L-186, neni 41.3. Po ashtu, ndaj personit juridik në emër të të cilit ishte i regjistruar mjeti motorik, është shqiptuar gjobë prej 1000 euro, sipas nenit 41.2 të të njëjtit ligj.
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë do të vazhdojë me aktivitete parandaluese për ngritjen e sigurisë dhe vetëdijesimit në trafikun rrugor.