Kosova me numrin më të vogël të aksidenteve me fatalitet në rajon

18.10.2024

Komuniteti i Transportit i BE-së ka publikuar raportin dhe statistikat e aksidenteve me fatalitet për Ballkanin Perëndimor për vitin 2023, ku është përfshirë edhe Kosova, në këtë raport falë angazhimeve, koordinimit ndërinstitucional dhe profesionalizmit është arritur të kemi një situatë të pranueshme krahasuar me shtetet tjera.

Në vitin 2023, 1261 persona humbën jetën në aksidente rrugore në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke shënuar një rritje prej 1.2% nga viti i kaluar, me 73.4 vdekje në rrugë për një milion banorë. Kjo është në kontrast me mesataren e BE-së prej 46 vdekjesh në rrugë për një milion banorë.

Krahasuar me vitin 2022, në të gjithë rajonin, rritja më e madhe është raportuar nga Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa Serbia është i vetmi partner rajonal që raporton një ulje të numrit të vdekjeve në rrugë në vitin 2023.

Krahasuar me pesë vendet e tjera të rajonit Republika e Kosovës qëndron më së miri me një mesatare prej 5.9 aksidenteve me fatalitet për 100 mijë banorë, e që është 1.3 më shumë se mesatarja e shteteve të BE-së (4.6).

Policia e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet edhe më tutje në ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve në përgjithësi.