Kontrabandim me migrantë dhe mallra në Kosovë, në Vërmic dhe Bube
Policia Kufitare e Kosovës ka regjistruar dy raste të ndryshme të kontrabandës në 24 orët e fundit.
Në një rast, një person është arrestuar për kontrabandim me migrantë në fshatin Vërmicë të Prizrenit, ndërsa në një rast tjetër, një person është arrestuar dhe tre të tjerë janë në arrati për kontrabandë me mallra në fshatin Bube të Zubin Potokut.
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për kontrabandim me migrantë. Gjatë një patrullimi rutinor në fshatin Vërmicë, policia ka ndaluar një automjet me targa vendore. Gjatë kontrollit të automjetit, janë zbuluar katër refugjatë të cilët po transportoheshin në mënyrë ilegale. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa refugjatët janë transferuar në Qendrën e Azilit – Magure.
Në një aksion të përbashkët, njësia e KFOR-it dhe Policia e Kosovës kanë zbuluar një rast të kontrabandës me mallra. Gjatë një patrullimi në fshatin Bube, njësia e KFOR-it ka vërejtur disa automjete që dyshohet se kishin hyrë në Kosovë nga Serbia. Pas një ndjekjeje të shkurtër, policia ka arrestuar një person dhe ka konfiskuar disa automjete të ngarkuara me dele, pije alkoolike dhe jo-alkoolike. Drejtuesit e tjerë të automjeteve kanë arritur të largohen nga vendngjarja.