Konfiskohen qindra monedha metalike 2-she false të depozituara në BQK nga ProCredit-i
Trendi i parave të falsifikuara ka ‘lulëzuar’ në Kosovë për një kohë të gjatë, ku qindra e mijëra euro false janë vënë përditë në qarkullim. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po i ‘tmerron’ të gjithë është ajo 2 euroshe.
Një rast i tillë është raportuar sot gjatë ditës nga një zyrtar i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili ka njoftuar se nga një zyrtar i bankës ProCredit janë depozituar një shumë e monedhave metalike që dyshohet të jenë false.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për mbi 200 copa monedha prej 2 euro – para këto që sipas informacioneve të para janë deponuar në periudha të ndryshme.
Si rezultat i denoncimit, monedhat janë konfiskuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.
Si masa preventive për ‘shpëtimin’ nga 2 eurot false, shumë biznese në Kosovë kanë filluar të mos pranojnë pagesa me këto monedha.
Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.