Kërcënimi për mjet shpërthyes, Policia: Dyshohet se thirrja erdhi nga Serbia
Policia e Kosovës ka nisur hetime të thelluara pas një kërcënimi me mjet shpërthyes që ndodhi sot në orët e paraditës në një objekt shtetëror të Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Sipas informacionit zyrtar, ngjarja ka alarmuar institucionet e sigurisë, të cilat menjëherë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme operative dhe hetimore. Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me institucionet tjera të sigurisë, ka vijuar me hetime intensive për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar burimin e kërcënimit.
Bazuar në të dhënat e para hetimore, dyshohet se kërcënimi është bërë përmes një numri telefoni që, sipas gjurmimeve të deritanishme, ka prejardhje nga Serbia.
Policia ka njoftuar se në koordinim me prokurorinë kompetente, do të vazhdojë me masa shtesë hetimore, përfshirë edhe bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë të sigurisë. Qëllimi i këtyre veprimeve është lokalizimi i mjetit të dyshuar shpërthyes, identifikimi i rrjetit të komunikimit të përdorur dhe zbardhja e plotë e këtij rasti.