Kërcënim me thikë në një lokal në Prizren – e sulmuara e denoncon rastin, policia nis hetimet

07.11.2025

Një femër nga Prizreni ka ndarë në rrjetin e saj social Facebook një përvojë shqetësuese, duke treguar se është sulmuar dhe kanosur me thikë nga një mashkull në një lokal në rrugën “Reshat Karjakdiu”.

Sipas postimit të saj, incidenti ka ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes, ku një person i panjohur e kishte sulmuar verbalisht dhe më pas kishte nxjerrë një thikë, duke e kanosur seriozisht. Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar në drejtim të panjohur.

Lajmi është konfirmuar më pas edhe nga Policia e Kosovës, e cila ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me rastin.

“Në rrugën ‘Reshat Karjakdiu’ është pranuar informata se në një lokal, i dyshuari mashkull ka sulmuar ankuesen femër. Kjo e fundit raporton se i dyshuari ka nxjerrë një thikë me të cilën e ka kanosur. Pas incidentit, i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur. Njësitë policore i janë përgjigjur rastit, ndërsa lidhur me ngjarjen është njoftuar prokurori kujdestar. Rasti është në hetim”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Për momentin, nuk raportohet për të lënduar, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin.

Ngjarja ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë shprehur shqetësimin e tyre për rastet e dhunës dhe kërcënimeve ndaj grave në vend.