Kaos në rrugët e Kosovës- 28 aksidente trafiku në një ditë, një viktimë e mijëra gjoba
Aksidentet në trafik mbeten një nga sfidat më të mëdha për sigurinë publike në Kosovë, duke marrë shpesh jetë njerëzish dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Shkaktarët kryesorë të këtyre ngjarjeve janë shpesh tejkalimi i shpejtësisë, pakujdesia në vozitje, mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet në rrugë, si dhe drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit apo substancave të ndaluara.
Vetëm në 24 orët e fundit, Policia e Kosovës ka raportuar 28 aksidente trafiku në gjithë territorin e vendit. Sipas të dhënave zyrtare, një prej këtyre aksidenteve ka përfunduar me fatalitet, ndërsa nëntë kanë rezultuar me persona të lënduar dhe 18 vetëm me dëme materiale.
Krahas aksidenteve, policia ka qenë aktive edhe në zbatimin e ligjit në komunikacion, ku në të njëjtën periudhë janë shqiptuar 1.898 gjoba trafiku, për shkelje të ndryshme që shpeshherë rrezikojnë drejtpërdrejt jetën në rrugë.
Po ashtu, 12 persona janë arrestuar, ndërsa gjashtë prej tyre janë dërguar në mbajtje, për çështje të ndryshme që bien ndesh me rendin dhe sigurinë publike.