IPK rekomandon suspendimin e katër policëve, dyshohet se keqtrajtuan dy qytetarë
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes Departamentit të Hetimeve, ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë që shërbenin në Stacionin Policor të Podujevës, pas dyshimeve se ata kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas njoftimit të IPK-së, informacionet e para për këtë rast janë pranuar nga vetë Policia e Kosovës, ku dyshohej se zyrtarët kishin përdorur forcë të tepruar ndaj dy qytetarëve që ndodheshin në ndalim – njëri prej tyre i mitur.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe atë brenda zyrave të stacionit policor kanë keqtrajtuar dy qytetarë (njëri nga ta i mitur) që ndodheshin në ndalim”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Hetimet ndaj katër zyrtarëve të suspenduar po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në procedurë të rregullt, nën dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
IPK ka bërë të ditur se hetuesit e saj, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë, pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.