IPK dhe SHSKUK bashkojnë forcat për shëndetin e punonjësve të Policisë
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) kanë hedhur sot një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së punonjësve të IPK-së, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së, Kushtim Hodaj, dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi. Qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi është rregullimi i ofrimit të shërbimeve të specializuara mjekësore dhe psikologjike për të gjithë punonjësit aktualë dhe rekrutët e ardhshëm të IPK-së.
Sipas marrëveshjes, punonjësve të IPK-së do t’u ofrohen shërbime mjekësore, psikologjike dhe specialistike të nivelit dytësor dhe tretësor plotësisht pa pagesë. Këto shërbime do të jenë të disponueshme me prioritet në SHSKUK dhe në të gjitha spitalet rajonale që funksionojnë nën këtë shërbim.
Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së, Kushtim Hodaj, theksoi rëndësinë e kësaj iniciative si një hap kyç në sigurimin e mbështetjes së nevojshme shëndetësore për punonjësit e IPK-së, të cilët shpeshherë përballen me sfida dhe presione të larta në punën e tyre. Ai shprehu mirënjohjen e IPK-së për SHSKUK-në dhe stafin e tij për gatishmërinë dhe përkushtimin në mbrojtjen e shëndetit të punonjësve të IPK-së.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, vlerësoi bashkëpunimin si një mundësi të rëndësishme për të kontribuar në mirëqenien e atyre që shërbejnë për sigurinë e vendit. Ai siguroi se SHSKUK do të angazhohet maksimalisht për të ofruar shërbime cilësore dhe në kohë për punonjësit e IPK-së.
Kjo marrëveshje pritet të ketë një ndikim pozitiv në shëndetin fizik dhe mendor të punonjësve të IPK-së, duke u mundësuar atyre qasje të lehtë dhe të shpejtë në shërbime shëndetësore të standardeve të larta.