Gruaja që u gjet e vdekur në Prizren është 44-vjeçarja F.A., dyshohet se ishte përdoruese e substancave narkotike

14.11.2025

Një ngjarje e rëndë është raportuar mëngjesin e djeshëm në Prizren, ku një grua 44-vjeçare është gjetur e pajetë në një shtëpi të pabanuar në rrugën “Alpet Shqiptare”.

Sipas strukturave të afërta me hetimin, rasti është raportuar rreth orës 08:00 të mëngjesit. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka bashkëpunuar me ekipin e urgjencës, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Ajo është identifikuar me inicialet F.A., 44-vjeçare.

Një person që ndodhej në vendngjarje ka dhënë deklaratën fillestare për identifikimin e viktimës. Sipas informacioneve të para, viktima ishte e njohur për Policinë e Kosovës për përdorim të substancave narkotike, ndërsa rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta.

Hetimet janë në vazhdim

Në vendngjarje kanë dalë njësitë hetimore lokale dhe rajonale, të cilat kanë siguruar pamjet, provat dhe deklaratat e nevojshme për hetim. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është regjistruar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia dhe prokuroria po vazhdojnë hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes, duke mos përjashtuar asnjë pistë hetimore./Sinjali/