Goditet rrjeti i falsifikimit të pronave shtetërore, sekuestrohen dokumente, pajisje dhe armë
Policia e Kosovës, përmes Njësisë për Hetimin e Falsifikimit të Dokumenteve në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën autorizimin e Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka zbuluar një skemë të dyshuar kriminale që lidhej me falsifikimin dhe tjetërsimin e pronave shtetërore.
Foto: Ilustrim
Hetimet disa mujore kanë treguar se i dyshuari, së bashku me persona të tjerë, ka falsifikuar dokumente të përdorura në procedurat e bartjes dhe legalizimit të pronave që gjendeshin nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Qëllimi i këtij veprimtari kriminal ishte ndryshimi i pronësisë nga pronë publike në pronë private, e më pas shitja e tyre duke mashtruar blerës të ndryshëm dhe duke përfituar shuma të mëdha financiare, të cilat dyshohet se arrijnë vlera milionëshe.
Më 1 nëntor 2025, në zbatim të një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prishtinë, policia ka kryer kontrolle në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazhe në dy rajone të vendit. Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar dokumente të shumta të lidhura me pronat, përfshirë kontrata shitblerjeje, regjistra parcelash dhe dosje pronash në gjuhën serbe, si dhe dokumente të paplotësuara të periudhës së ish-RFJ-së. Po ashtu janë gjetur pajisje për dyshuar falsifikim, përfshirë pesë makina shkrimi të vjetra dhe një pajisje për prerjen e letrës. Nga vendi i ngjarjes është sekuestruar edhe një revole e tipit “Zaragio” me 103 fishekë, si dhe disa sende me vlerë, si një telefon iPhone 17 Pro, një orë Rolex dhe një zinxhir dore Rolex, të cilat dyshohet të jenë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.
Nga provat e siguruara, i dyshuari ngarkohet me dyshime për kryerjen e veprave penale të falsifikimit të dokumenteve, legalizimit të përmbajtjes së rreme, mashtrimit, si dhe mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë. Hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, duke mbrojtur pronën publike dhe duke siguruar llogaridhënie dhe transparencë ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.