Gjendet pa shenja jete një person në Malishevë, policia nis hetimet
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Llapçevë të Malishevës, ku rreth orës 07:20 është gjetur në rrugë një person mashkull i moshës madhore në gjendje të rënduar shëndetësore.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Kosovës, menjëherë pas raportimit në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë ofruar ndihmën e parë për viktimën.
Burime mjekësore kanë konfirmuar se personi është dërguar në QKMF Malishevë, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka arritur të mbijetojë.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, autoritetet kanë iniciuar rastin “Hetim i vdekjes”, ndërsa policia po vazhdon me hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
Identiteti i viktimës dhe shkaqet e mundshme të vdekjes ende nuk janë bërë të ditura.