Gjendet pa shenja jete një burrë në Prizren, zjarrfikësit hapën me forcë derën e banesës së tij
Një ngjarje e rëndë është regjistruar të premten, më 12 dhjetor, në Prizren, ku një person është gjetur pa shenja jete brenda banesës së tij.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar gjatë ditës së premte, ndërsa në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës, shtetas kosovar.
Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes, përveç njësive relevante policore, kanë intervenuar edhe zjarrfikësit, të cilët në prani të familjarëve, me forcë kanë hapur derën e banesës, brenda së cilës është gjetur trupi i pajetë.
“Në vendin e ngjarjes, përveç njësive relevante policore, kanë dalë edhe zjarrfikësit të cilët në prezencë të familjarëve, me forcë e kanë hapur derën e banesës ku është gjetur viktima”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Rasti është cilësuar si “hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet lidhur me rrethanat e vdekjes po vazhdojnë nga organet kompetente.