Gjendet armë dhe thikë tek nxënësit në Shirokë
Një incident i pazakontë është raportuar në shkollën “Abdyl Ramaj” në Shirokë të Suharekës. Dy nxënës meshkuj janë ndaluar nga policia pasi tek ata janë gjetur armë.
Foto: Ilustrim
Burime të besueshme brenda policisë kanë konfirmuar për SuharekaOnline se është raportuar se njëri nga nxënësit në çantën e tij ka një armë.
Pas një kontrolli të rregullt nga ana e policisë tek të dy nxënësit janë gjetur një pistoletë me gaz dhe një thikë.
I kontaktuar nga SuharekaOnline zëdhësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, toger, Shaqir Bytyqi ka konfirmuar rastin duke shtuar se “Policia është njoftuar nga Drejtori i Shkollës Profesionale në Shirokë se tek disa nxënës të kësaj shkolle, në çantat e tyre janë gjetur armë dhe mjete të mprehta. Konkretisht, janë gjetur: një armë zjarri (Walter P99 9mm) me gaz tek i dyshuari i parë dhe një thikë e mprehtë tek i dyshuari i dytë”.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë, të cilat kanë sekuestruar armën dhe thikën, duke marrë menjëherë masa për hetim të rastit. Me urdhër të Prokurorit për Krime të Rënda, është hapur një rast për armëmbajtje pa leje. Rasti është në procedurë të rregullt.” ka thënë Bytyqi.