Gjakovë, arrestohet një i dyshuar për mbajtje të paautorizuar të armëve, sekuestrohen armë dhe municion
Një operacion i zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për mbajtje të paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, operacioni është zhvilluar në fshatin Shkozë-Malishevë, në zbatim të një urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata. Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, policia ka sekuestruar:
- Një pushkë gjuetie
- Një armë automatike me një karikator
- 32 fishekë
- Dy gëzhoja
“Në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata, më datë 19.03.2025, rreth orës 09:00, Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka realizuar një kontroll në vendbanimin e një të dyshuari në fshatin Shkozë-Malishevë. Gjatë kontrollit, në posedim të të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar armë dhe municion” thuhet ne komunikatë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka theksuar përkushtimin e saj në parandalimin dhe luftimin e çdo veprimtarie të kundërligjshme që cenon sigurinë e qytetarëve.