Ekstradohet nga Kosova për në Shqipëri i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

15.12.2025

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 15 dhjetor 2025 është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Kosova për në Shqipëri, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Shqipërisë.

Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi është kryer nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë. I dyshuari ishte arrestuar më herët nga njësitet policore të Kosovës, pasi dyshohej për përfshirje në veprën penale “përfshirje në grup të strukturuar kriminal”.

Policia e Kosovës thekson se ekstradimi është realizuar falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Shqipërisë, duke reflektuar angazhimin e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar.

Tutje, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka bërë të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale. Ky bashkëpunim synon gjithashtu gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë territorit të Kosovës.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për garantimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit.