Ekstradohet nga Gjermania për në Kosovë, i kërkuari B.A. – kishte urdhërarrest ndërkombëtar
Policia e Kosovës ka ekstraduar B.A. nga Gjermania për në Kosovë, pasi që i dyshuari kishte urdhërarrest ndërkombëtar.
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka njoftuar se gjatë ditës së premte, (19.12.2025) ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar B.A., viti i lindjes 1994, nga Gjermania për në Kosovë.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritete Gjermane pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe se i njëjti u ishte shmangur organeve të drejtësisë.
I dyshuari pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë në Mitrovicë për vazhdim të procedurave tjera ligjore.