Ekstradohen në Kosovë dy persona të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më 23 dhjetor 2025 ka realizuar ekstradimin e dy shtetasve kosovarë të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar, të ekstraduarit janë L.V. (1990) dhe A.M. (1991), ku njëri është ekstraduar nga Gjermania, ndërsa tjetri nga Franca për në Kosovë. Ky proces u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar me autoritetet përkatëse të këtyre dy shteteve.
Të dyshuarit ishin arrestuar më herët nga autoritetet gjermane dhe franceze, pasi kërkoheshin me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Sipas autoriteteve, ata dyshohen se kanë qenë të përfshirë në vepra penale të ndara, si dhe se i ishin shmangur drejtësisë.
Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, të dyshuarit u janë dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës, përkatësisht në rajonin e Prishtinës dhe atë të Gjilanit, për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet kyç në luftën kundër krimit dhe në sjelljen para drejtësisë të personave që i shmangen ligjit.