Dyshohet se ngacmoi seksualisht një të mitur, ndalohet për 48 orë polici në Gjakovë
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar dje një zyrtar policor në Gjakovë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Ngacmim seksual”.
Hetuesit e IPK-së janë njoftuar përmes telefonit lidhur me dyshimet se ky polic kishte kryer veprime të kundërligjshme.
Siç thuhet në komunikatë, IPK-ja në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë ka filluar një hetim ndaj zyrtarit të dyshuar për veprën penale “Ngacmim seksual” ndaj një viktime të mitur.
“Hetuesit në koordinim me prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ku pas këtyre veprimeve fillestare hetimore zyrtari policor është arrestuar dje, kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në njoftim.