Dy shoferë ndëshkohen për gara shpejtësie në Rahovec
Njësitet policore të Stacionit Policor në Rahovec kanë ndërmarrë masa ligjore ndaj dy shoferëve, të cilët janë kapur duke bërë gara shpejtësie në rrugën “Mizahir Isma”, duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Policia, përmes patrullave, informacioneve nga qytetarët dhe verifikimit të kamerave të sigurisë, ka identifikuar dy automjete që më 22 shtator 2025 ishin përfshirë në gara shpejtësie. Veprimet e tyre janë cilësuar si kundërvajtje të rënda në komunikacionin rrugor.
Njërit nga shoferët i është shqiptuar një gjobë prej 500 eurosh, 4 pikë negative, si dhe masa e ndalimit të drejtimit të automjeteve për 12 muaj. Shoferi tjetër është proceduar me fletëparaqitje për gjykatë për kundërvajtjen në fjalë, ndërsa është konstatuar se ai po ngiste pa patentë-shofer, në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka apeluar tek qytetarët që të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor. Sipas policisë, shpejtësia mbi normat e lejuara dhe garat e paligjshme paraqesin rrezik serioz për jetën dhe sigurinë publike.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në parandalimin e dukurive të tilla dhe në ndërmarrjen e masave ligjore ndaj të gjithë shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.