Dy policët e suspenduar në Prizren dyshohet se u fjalosen për mustaqe

14.11.2025

Dy zyrtarë policorë të Stacionit në Prizren janë suspenduar nga detyra, pasi dyshohet se u përfshinë në një mosmarrëveshje gjatë orarit të punës.

Gazetari Nuhi Salihu ka bërë të ditur se një nga shkaqet e fjalosjes ka qenë edhe përmendja e mustaqeve nga njëri ndaj tjetrit, gjë që çoi në përplasje midis dy zyrtarëve.

Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka dhënë detaje për rastin:

“Hetuesit e IPK-së kanë filluar veprime fillestare hetimore lidhur me një incident të ndodhur në Prizren, ku ishin përfshirë dy zyrtarë policorë. Bazuar në hetimet e para, dyshohet se mosmarrëveshja ka ardhur pas një fjalosjeje gjatë orarit të punës. Pas këtyre veprimeve, IPK-ja ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të dy zyrtarëve të Stacionit Policor në Prizren.” tha Beka për KlanKosova.

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur veprimet hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit, ndërkohë që procedurat disiplinore ndaj dy policëve vazhdojnë.