Dhunimi i 16-vjeçares në Malishevë, Policia njofton se raportimi u bë në prani të punëtorit të QPS-së

06.12.2025

Një rast i rëndë i dhunimit është raportuar në Malishevë, ku viktima, një vajzë rreth 16 vjeçe, ka treguar para organeve kompetente se kishte qenë në një lidhje me të dyshuarin dhe se mes tyre ka pasur marrëdhënie seksuale.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar dhe se prokurori është njoftuar menjëherë pas deklarimeve të së miturës.

Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, viktima ka dhënë dëshminë e saj në prezencë të Punëtorit Social të Qendrës për Punë Sociale (QPS). “Viktima femër kosovare – e mitur, në prezencë të punëtorit për punë sociale, ka raportuar se para disa muajsh ka qenë në lidhje me një person dhe kanë pasur marrëdhënie seksuale. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin e policisë për kategorinë “Dhunim”.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur muaj më parë, por është raportuar vetëm tani, një situatë e cila, sipas ekspertëve të fushës, është e zakonshme kur viktimat e mitura përballen me frikë, presion emocional ose vështirësi në raportim.

Policia dhe QPS po e trajtojnë rastin sipas procedurave ligjore për mbrojtjen e të miturve, ndërsa hetimet pritet të zbardhin përgjegjësinë penale të të dyshuarit. Ndërkohë, institucionet përgjegjëse kanë theksuar se viktima po merr mbështetjen e nevojshme psikologjike dhe sociale.