Arrestohet në Greqi një kosovar për trafikim droge, sekuestrohen 324 kilogramë kanabis
Autoritetet greke kanë arrestuar në Selanik dy persona të dyshuar për trafikim me narkotikë, në kuadër të një hetimi disamujor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar mes Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut e Greqisë.
Foto: Ilustrim
Në mesin e të arrestuarve është edhe një shtetas i Kosovës, me inicialet A.G.
Gjatë operacionit në Selanik, policia greke ka sekuestruar 324 kilogramë substancë narkotike të llojit kanabis.
Sipas Prokurorisë Speciale, hetimi është zhvilluar përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve partnere ndërkombëtare.
PSRK dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë bashkëpunimin me autoritetet ndërkombëtare dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
