Arrestohen dy kosovarë në Shqipëri, dyshohen për trafikimin të armëve

03.03.2024

Policia e shtetit ka njoftuar se ka arrestuar dy kosovarë, pasi që kishin transportuar armë nga Kosova në Tiranë. 

Arrestohen dy kosovarë në Shqipëri, dyshohen për trafikimin të armëve Foto: Ilustrim

Gjithashtu, policia bën të ditur se ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, krëhri me municionin luftarak, një silenciator, një automjet dhe një aparat celular.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të zbatimit të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për dy shtetas që dyshohej se kishin transportuar një armë zjarri pistoletë, nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesi 4”.

“Si rezultat i tij, në rrugën “Dritan Hoxha”, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: – R. F., 19 vjeç, banues në Vushtrri, Kosovë, dhe A. A., 19 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë”, vijon njoftimi.


Po ashtu, policia thekson se gjatë kontrollit të automjetit me të cilin qarkullonin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur një armë zjarri pistoletë, me krëhër e municion luftarak, dhe një silenciator, që ishin sjellë në Shqipëri për tu shitur tek persona të tjerë.

“Arma e zjarrit, krëhri, municioni luftarak, silenciatori, automjeti dhe një aparat celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, vijon njoftimi.

Tutje, në komunikatë theksohet se punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.