Arrestohen 7 shtetas të Shqipërisë, u kapën me drogë dhe pajisje për tharje narkotikësh

11.10.2025

Një aksion i organizuar i Policisë së Kosovës ka rezultuar me arrestimin e shtatë personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme me substanca narkotike në fshatin Shtedim të Podujevës.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, sot rreth orës 12:00, njësitë e hetimeve nga Stacioni Policor në Podujevë, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë ndërmarrë një aksion të mirëplanifikuar, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative.

Këto informacione kishin ndihmuar hetuesit të identifikonin një lokacion të dyshimtë në fshatin Shtedim, ku dyshohej se po zhvillohej një veprimtari ilegale me drogë.

Gjatë kontrollit në një shtëpi, janë arrestuar shtatë shtetas të Republikës së Shqipërisë, pesë prej të cilëve janë femra dhe dy meshkuj. Në vendngjarje është zbuluar një sasi e konsiderueshme e substancave narkotike, si dhe aparaturë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike, që dyshohet të jetë përdorur për përpunimin e lëndëve narkotike.

Aksioni është mbështetur edhe nga njësitë intervenuese të Policisë, ndërsa pas arrestimit të të dyshuarve, në vendngjarje janë ftuar edhe zyrtarët nga Njësiti Antidrogë, të cilët, në koordinim me Prokurorinë, po vazhdojnë hetimet dhe procedurat e mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës konfirmon se është e përkushtuar në luftimin e veprimtarive të paligjshme, veçanërisht atyre që lidhen me shpërndarjen dhe kultivimin e substancave narkotike. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.