Arrestime dhe sekuestrime armësh në Leposaviq, dy persona në pranga
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Leposaviq pas një raportimi për kanosje dhe ka sekuestruar një arsenal armësh dhe municionesh.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vuçë, ku një person ka raportuar se është kanosur nga G.K., 54 vjeç.
Sipas njoftimit të Policisë, më 9 Mars 2025 në Stacionin Policor Leposaviq është raportuar një rast kanosjeje. Pas marrjes së informacionit, policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit G.K. dhe të vëllait të tij R.K., 52 vjeç, ka gjetur dhe sekuestruar:
- Një pushkë me tytë të gjatë (karabinë)
- 126 fishekë të kalibrit 11.53 mm
- 229 fishekë të kalibrit 7.62 mm
- Një bajonetë (thikë pushke) me gjatësi 37 cm
- Një thikë me gjatësi 23 cm
Të dy vëllezërit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor. G.K., në prani të avokatit, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë. Ndërsa R.K. është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar si “Kanosje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.