“Alarmon” Maqedonci: Grupi terrorist i Banjskës i përkrahur nga Serbia, po vendoset afër kufirit me Kosovë

04.04.2025

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka ngritur alarmin sot lidhur me grupin terrorist përgjegjës për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023. Sipas tij, ky grup, me synim aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës, jo vetëm që vazhdon të jetë i lirë, por merr edhe mbështetje të vazhdueshme nga Serbia, duke paraqitur kështu një kërcënim serioz për stabilitetin e vendit.

Në një deklaratë të ashpër, Ministri Maqedonci theksoi se është “e papranueshme” që autorët e aktit terrorist të mbeten të pafajshëm dhe të gëzojnë mbrojtjen e strukturave të sigurisë serbe. Ai shprehu shqetësimin e thellë për faktin se ky grup “vazhdon të mbrohet dhe mbështetet nga struktura të sigurisë në Serbi”, duke shtuar se shpesh ata pozicionohen pranë kufirit me Kosovën dhe mbajnë lidhje të rregullta me individë dhe grupe në veri të vendit.

“Kjo paraqet një rrezik të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës, sidomos në pjesën veriore,” – u shpreh Maqedonci, duke nënvizuar implikimet e rënda të kësaj situate për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Ministri i Mbrojtjes nuk ngurroi të rikujtojë obligimet ndërkombëtare të Serbisë për të dorëzuar personat e akuzuar për krime në Kosovë. Sipas tij, mospërmbushja e këtij detyrimi tregon qartë mungesën e vullnetit nga ana e Beogradit për të bashkëpunuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes së Banjskës dhe për të mbajtur përgjegjës ata që tentuan të destabilizojnë Kosovën me dhunë.

Maqedonci gjithashtu kritikoi ashpër “përpjekjet e Serbisë për të vazhduar politikën hegjemoniste ndaj Kosovës”, duke vënë në dukje mohimin e vazhdueshëm të ekzistencës së shtetit të Kosovës dhe kontributin aktiv në destabilizimin e rajonit. Ai e cilësoi këtë qasje si “të papranueshme” dhe në kundërshtim me aspiratat e Kosovës dhe rajonit për integrim dhe bashkëpunim.