Aksion në Brezovicë: Policia sekuestron armë dhe municion, i dyshuari në kërkim
Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në një vilë në Brezovicë të komunës së Shtërpcës, ku ka sekuestruar armë dhe municion.
Foto: Ilustrim
Aksioni u zhvillua nga njësia e hetimeve e stacionit policor në Shtërpcë në bashkëpunim me njësinë e hetimeve të stacionit “Qendra” në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, gjatë kontrollit në objekt janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, dy pushkë ajrore, pesë karikatorë si dhe njëzet e një fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari nuk është gjetur në vendngjarje dhe aktualisht është në kërkim. Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa është iniciuar procedura për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Autoritetet kanë paralajmëruar se hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.