Aksion i Policisë në Veri: Bastisen qendrat për punë pociale të dyshuara për manipulime zgjedhore
Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion të gjerë në veri të vendit, duke bastisur disa Qendra për Punë Sociale.
Foto: Ilustrim
Kjo vjen pas arrestimit të katër zyrtarëve të këtyre qendrave, të cilët dyshohet se kanë shantazhuar qytetarët duke kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre në favor të një partie të caktuar politike.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani, ka konfirmuar për Telegrafin se bastisjet janë pjesë e hetimeve që lidhen me arrestimet e 8 shkurtit, një ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Sipas Elshanit, zyrtarët e arrestuar dyshohet se kanë funksionuar në struktura paralele/ilegale dhe kanë thirrur qytetarë të ndryshëm në telefon, duke i kërcënuar se do t’u tërhiqen ndihmat sociale nëse nuk votojnë për partinë e caktuar.
“Këta zyrtarë të qendrës për punë sociale, e cila ishte në strukturë paralele/ilegale, dyshohet se kanë thirrur qytetarë të ndryshëm në telefon dhe nën formën e kërcënimit i kanë detyruar apo udhëzuar se si të votojnë, duke i kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre në favor të një partie të caktuar politike, e cila ishte në garë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë”, ka thënë Elshani.
Ai ka shtuar se Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka aprovuar kërkesën e Policisë për kontrollin e këtyre qendrave me qëllim të zbulimit të provave që do të vërtetojnë mënyrën e veprimit të këtij aktiviteti të kundërligjshëm, që cilësohet si falsifikim i dokumenteve.
Deri më tani, dy qendra janë mbyllur, ndërsa dy të tjera janë në proces. Pas përfundimit të kontrolleve, Policia do të njoftojë Prokurorinë me të gjeturat, e cila më pas do të vendosë për hapat e mëtejshëm.