Aksion i gjerë policor në Prizren në kuadër të “Sezonit Veror 2025” – Ndalohet një person me armë të ftohtë

22.06.2025

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë mbrëmjen e kaluar në qytetin e Prizrenit, në kuadër të planit operativ “Sezoni Veror 2025”, i cili ka për synim forcimin e sigurisë publike dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme gjatë muajve të verës.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili theksoi se operacioni u realizua nga Stacioni Policor në Prizren, në bashkëpunim me Njësitin Kundër Trafikimit me Narkotikë dhe Njësitë e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) nga Prishtina, Gjakova dhe Ferizaji. Gjithçka u zhvillua nën koordinimin e ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Gjatë kontrolleve të befasishme në disa lagje të qytetit, përfshirë lokale dhe automjete të ndryshme, Policia ka identifikuar një person që mbante me vete një thikë brezi. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për intervistim, ndërsa ndaj tij është iniciuar procedurë hetimore për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.”

Policia e Kosovës ka njoftuar se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë sezonit veror.