Aksident në Suharekë: Vetura godet dy këmbësorë
Të lënduarit janë dërguar në emergjencë, policia heton shkaqet e aksidentit.
Një aksident trafiku ka ndodhur sot në rrugën “Hajdin Berisha” në Suharekë, ku një veturë ka goditur dy këmbësorë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00.
Sipas informacioneve të para, të lënduarit janë dërguar menjëherë në Emergjencën e Suharekës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Gjendja e tyre shëndetësore nuk dihet ende.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale e Trafikut në Prizren, për të kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe për të zbuluar shkaqet e aksidentit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për SuharekaOnline se një aksident i tillë ka ndodhur dhe se policia është duke hetuar rastin.
Shkaqet e aksidentit ende nuk janë të qarta.
Policia po apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të ngasin me kujdes dhe të jenë të veçanërisht të kujdesshëm ndaj këmbësorëve, sidomos në zonat e banuara dhe në orët e mbrëmjes.