329 shoferë gjobiten për përdorim telefoni në timon
Pas përfundimit të fushatës sensibilizuese kundër përdorimit të telefonit gjatë ngasjes që filloi më 6 tetor 2025, Policia Rajonale e Ferizajt ka kaluar në fazën e zbatimit të masave ndëshkuese ndaj shoferëve që shkelin këtë rregull.
Fushata u zhvillua me moton: “Një sekond në telefon mund të bëhet shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon.”
Gjatë periudhës sensibilizuese, që nisi më 13 tetor 2025, policia zhvilloi ligjërata në shkolla, takime me qytetarë dhe shpërndau fletëpalosje informuese, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që sjell përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit.
Si rezultat i këtyre veprimeve, vetëm gjatë muajit tetor janë shqiptuar 329 gjoba ndaj shoferëve të kapur duke përdorur telefonin gjatë ngasjes, duke rrezikuar jo vetëm jetën e tyre, por edhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Policia thekson se përdorimi i telefonit gjatë ngasjes mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore dhe apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të përqendrohen plotësisht në vozitje dhe të shmangin çdo shpërqendrim. “Edhe një sekond pakujdesie mund të ketë pasoja fatale,” thuhet në apelin e Policisë Rajonale të Ferizajt.
Kontrollet dhe masat ndëshkuese do të vazhdojnë në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Policia fton qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo shkelje në trafik përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat e telefonit: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. Të gjitha informacionet e pranuara trajtohen me konfidencialitet të plotë.