19 të lënduar dhe 51 aksidente me dëme materiale në një ditë – shqitohen 2,174 gjoba
Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve që po ndodhin pothuajse çdo ditë në vend.
Edhe pse gjobitja e shkelësve të trafikut shihet si një ndër mjetet më efektive për parandalimin e aksidenteve, statistikat tregojnë se situata në terren vazhdon të jetë shqetësuese.
Sipas të dhënave të fundit, mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë nga Policia e Kosovës, por pavarësisht kësaj, numri i aksidenteve – si me të lënduar ashtu edhe me dëme materiale – mbetet i lartë.
Vetëm në 24 orët e fundit janë shqiptuar 2174 gjoba trafiku, një shifër që dëshmon se shkeljet e rregullave të komunikacionit vazhdojnë të jenë të përhapura.
Përveç gjobave, në këtë periudhë janë regjistruar gjithsej 19 aksidente me të lënduar dhe 51 aksidente me dëme materiale.
Policia ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme janë arrestuar 24 persona, ndërsa 13 prej tyre janë dërguar në mbajtje, si pjesë e operacioneve të rregullta të rendit dhe sigurisë.
Pavarësisht masave ndëshkuese dhe fushatave të vetëdijesimit, institucionet përgjegjëse apelojnë që qytetarët të respektojnë rregullat e komunikacionit për të parandaluar aksidentet dhe për të garantuar siguri në trafik.